
Aktores së njohur, Zamira Kita, nuk i ndahet shpirti kur bëhet fjala për aktivitete të ndryshme artistike, pasi gjithmonë qëndron në krye të tyre.
Por këtë herë për shkak të shëndetit i është dashur të izolohet, pasi prej 12 ditësh ka rezultuar e prekur me Covid- 19 së bashku me bashkëshortin, i cili është i shtruar në spital.

Aktorja ka qenë mëngjesin e sotëm në një lidhje “Skype” me emisionin “Wake Up” në Top Channel, ku ka rrëfyer sesi ka qenë përballja e saj me Covid-19.
“Edhe pse e izoluar shumë artistë pjesëmarrës në KokoFest dhe jemi parë nga poshtë dritares. Por ndërkohë dua të jap një mesazh; Është bërë një propagandë shumë e tmerrshme e këtij virusi që duket sikur kur të zë Covid, të zë vdekja dhe ti nuk ke asnjë shpresë. Dhe kësisoj njerëzit rëndohen psikologjikisht dhe e përjetojnë shumë rëndë përballjen me sëmundjen. Unë nuk e pata kaq të rëndë dhe kisha një lloj optimizmi, të njëjtën gjë dhe bashkëshorti im që e kishte shumë më të rëndë se unë. Dua që njerëzit ta mendojnë si një grip normal, diku zë më lehtë e diku më rëndë dhe ajo këshillë që unë dua t’u jap të gjithëve është të mos neglizhojnë asnjë shenjë por të marrin menjëherë me mjekun që të ndjekin protokollin që u këshillojnë dhe kësisoj nuk do të kenë asnjë rrezik nga ky virus.”- tha aktorja Zamira Kita.