Një skenë që duket si e marrë nga një film fantastiko-shkencor është zhvilluar në një ring, ku influencuesi Frankie LaPenna u përball me një robot humanoid që i ngjante personazhit “Terminator”. Dueli u organizua nga kompania amerikane e robotikës REK, si pjesë e një koncepti të ri të realitetit virtual ku njerëzit kontrollojnë robotë humanoidë dhe i përballin në duele.

Në videon e publikuar nga kompania, roboti rreth 1.83 metra i gjatë hyri në ring dhe u përgatit për përballjen si një sportist profesionist. Pas nisjes së ndeshjes, LaPenna dhe roboti shkëmbyen grushte dhe shqelma. Influencuesi arriti të godiste disa herë robotin, ndërsa goditjet me këmbë të këtij të fundit e shtynë LaPennën në anën tjetër të kafazit në disa raste.

REK e cilësoi përballjen si “betejën e parë Njeri kundër Robotit Terminator” dhe publikoi pamjet e saj në rrjetet sociale, duke paralajmëruar se do të publikohen edhe pjesë të tjera të ndeshjes. Në një reagim ndaj një komenti, kompania sqaroi se LaPenna në fund arriti ta mposhtë robotin.