Një ndjekje me shpejtësi të lartë përfundoi në tragjedi në Brazil, ku shtatë persona humbën jetën pas një përplasjeje ballore mes dy automjeteve. Mes viktimave është edhe influencuesja e njohur e fitnesit, Alana Alves da Silva, 28 vjeçe.
Ngjarja ndodhi në autostradën BR-251, në shtetin Minas Gerais. Sipas policisë, automjeti Fiat Cronos ku udhëtonte 28-vjeçarja dyshohet se transportonte rreth 137 kilogramë kanabis.
Forcat e rendit kishin tentuar ta ndalonin automjetin pranë qytetit Salinas, por drejtuesi dyshohet se nuk iu bind urdhrit dhe u largua me shpejtësi. Pas një ndjekjeje prej rreth 10 kilometrash, Fiat-i kaloi në korsinë e kundërt gjatë një parakalimi në kthesë dhe u përplas ballë për ballë me një Chevrolet Astra.
Alana Alves da Silva, e njohur në rrjetet sociale si “Vampira 085”, humbi jetën në vendngjarje. Dy të rinj të tjerë që ndodheshin në të njëjtin automjet vdiqën më pas në spital. Një grua 20-vjeçare arriti të mbijetojë, por ndodhet në gjendje kritike me dëmtime të rënda në kokë dhe fraktura të shumta.
Në Chevrolet ndodheshin katër burra të moshës 46 deri në 79 vjeç, të cilët humbën të gjithë jetën si pasojë e përplasjes. Policia ka identifikuar si drejtues të dyshuar të Fiat-it 24-vjeçarin Pedro Yan Linhares Gutierrez. Sipas autoriteteve, ai nuk kishte leje drejtimi, mbante një pajisje elektronike monitorimi dhe përballej më herët me akuza për trafik droge.
Alana kishte krijuar një audiencë prej më shumë se 59 mijë ndjekësish në Instagram dhe TikTok, ku publikonte video për stërvitjen, jetesën e shëndetshme dhe përmbajtje humoristike. Ajo drejtonte gjithashtu një dyqan online me veshje fitnesi. Hetimet për rrethanat e plota të aksidentit vijojnë.

