I ftuar sot në emisionin “Pardon My French” në Top Albania Radio ka qenë artisti i njohur, Stresi. Ai ka zbuluar më shumë detaje nga jeta e tij, karriera ndër vite, projektet e reja që pritet të vijnë së shpejti dhe sigurisht që ekskluzivisht është ndalur dhe ka sqaruar gjithçka rreth raportit që ka sot me Keisin.

Në radio ai u shpreh se intervista e sotme në radio do të jetë e fundit për një periudhë të gjatë të pacaktuar, ku shtoi se:

Më kanë thirrur shumë në fakt, nga Kosova sidomos. Edhe këtu por nuk është se kam pasur mundësi sepse kam qenë i zënë me albumin, fushatën dhe koncertet. Tre gjëra në të njëjtën kohë, por ama çdo gjë është okej kështu që nuk kam qejf më të prononcohem pasi jam i fokusuar tashmë me albumin dhe projekte të tjera dhe nuk dua të flas fare më për asgjë. 

Albumi më i fundit i Stresit, i titulluar “Archimed” ka pasur shumë sukses dhe i ka të gjitha ngjyrat e tij si artist dhe bashkëpunime me artistë të njohur. Si arriti ai ta realizonte këtë dhe sa kohë i është dashur?

Që prej datë 18 Prill u bë pothuajse një muaj, albumi ka marrë më shumë se 1 milion streams në Spotify. Nuk është Youtube, është një platformë tjetër dhe jam shumë i gëzuar realisht. 

Albumin e kisha planifikuar që verën e kaluar, por nxora vetëm një pjesë të parë kishim disa divergjenca që po i diskutonin dhe çfarë bëmë e shtymë pastaj. Filluam për ta punuar në Nëntor pasi deri në Shtator na zgjatën gjyqet. E punova në Romë, atje ku jam regjistruar si raper. E lançuam pjesën e dytë dhe jam shumë i kënaqur realisht. 

Cili është bashkëpunimi që Stresi e ka më përzemër dhe që është pëlqyer më shumë nga fansat?

Nga fansat është pëlqyer kënga me Noizyn “Mama” që ka shkuar diku tek 400 mijë streams vetë ajo këngë. Kam shumë të veçanta, kënga “Ajo” ka marrë 1 milion në Youtube.

Sa i përket klipeve dhe realizimit të tyre ai u shpreh se:

Klipet kanë qenë standard shumë i lartë realisht. Shpresoj edhe të fitoj ndonjë çmim me këto klipet por jam shumë i sigurtë që do të shpërblehem sepse kemi punuar shumë.