Ish-aktorja Raquel Lee Bolleau ka ngritur një padi ndaj “The Walt Disney Company”, duke pretenduar se është abuzuar dhe ngacmuar seksualisht në mënyrë të përsëritur gjatë kohës kur ishte pjesë e kastit të filmit “The Poof Point”.
Sipas padisë, e depozituar në Gjykatën e Lartë të Los Angelesit, Bolleau ishte 14 vjeçe në kohën e xhirimeve, kur një punonjës i Disneyt, i identifikuar në dokumente si “John Doe”, dyshohet se i siguronte alkool dhe e ushtronte nën presion për ta konsumuar.
Aktorja pretendon se më pas punonjësi e ka sulmuar dhe abuzuar seksualisht në mënyrë të përsëritur.
Në dokumentet gjyqësore thuhet se i dyshuari, pavarësisht moshës së saj të mitur, i kishte thënë se ishte “mjaftueshëm e rritur” dhe se mund ta përballonte situatën.
Bolleau pretendon gjithashtu se sjellja e punonjësit ishte e dukshme për të rriturit e pranishëm në set dhe se ambienti ku zhvilloheshin xhirimet nuk ofronte mbrojtjen e duhur për një të mitur.
Në padi, ish-aktorja akuzon Disney-n se dështoi ta mbronte nga abuzimi dhe se nuk përmbushi detyrimet ligjore për garantimin e sigurisë së fëmijëve që punonin në produksion.
Ajo pretendon gjithashtu se regjisori i filmit dhe trajneri i dialogut të Disneyt i kishin kërkuar të krijonte një marrëdhënie dhe të kalonte kohë me personin që ajo akuzon. Raquel Lee Bolleau është e njohur për paraqitjet e saj në produksione si “Malcolm & Eddie”, “The Amanda Show” dhe “Double Dare 2000”.
