Kim Scott, ish-bashkëshortja e reperit të famshëm Eminem, është shpallur në kërkim nga autoritetet amerikane pasi nuk u paraqit në një seancë gjyqësore që lidhet me akuzat për drejtim automjeti nën ndikimin e alkoolit dhe drogës. Sipas mediave amerikane, 51-vjeçarja duhej të paraqitej në Gjykatën e Qarkut Macomb në Michigan, por mungesa e saj bëri që gjykata të lëshonte një urdhër arresti ndaj saj. Raportohet se për Kim Scott ishte caktuar një garanci prej 10 mijë dollarësh, ndërsa prokurorët kërkuan menjëherë lëshimin e urdhër-arrestit dhe konfiskimin e shumës së garancisë pasi ajo nuk u paraqit në seancë.
Deri më tani, autoritetet kanë bërë të ditur se Scott ende nuk është arrestuar. Çështja lidhet me një incident të ndodhur më 14 maj në Michigan, kur Kim Scott u ndalua nga policia pas një aksidenti automobilistik. Sipas hetimeve, ajo dyshohet se po drejtonte automjetin nën ndikimin e alkoolit dhe substancave narkotike.
Mediat amerikane raportojnë se më herët ajo ishte përfshirë edhe në një përplasje me një automjet të parkuar, ku sipas policisë forca e goditjes ishte aq e madhe sa kamioni i goditur u zhvendos disa metra. Kim Scott dhe Eminem, emri i vërtetë i të cilit është Marshall Mathers III, kanë pasur një nga marrëdhëniet më të komentuara në botën e showbiz-it. Ata u martuan për herë të parë në vitin 1999, por u divorcuan në vitin 2001. Çifti u ribashkua dhe u martua sërish në vitin 2006, por martesa e dytë zgjati vetëm disa muaj para ndarjes përfundimtare.
Së bashku ata janë prindër të Hailie Jade, ndërsa reperi ka adoptuar edhe dy vajza të tjera nga familja e ish-bashkëshortes së tij.



