Ish-bashkëshortja e themeluesit të Amazon, Jeff Bezos, MacKenzie Scott ka dhuruar 45 milionë dollarë për “The Trevor Project”, një organizatë jofitimprurëse që ofron shërbime parandalimi të vetëvrasjeve dhe mbështetje në kriza për të rinjtë LGBTQ+.
Sipas organizatës, kjo është dhurata më e madhe e vetme në historinë 27-vjeçare të saj. Drejtori Ekzekutiv i The Trevor Project, Jaymes Black, tha se donacioni vjen në një moment kritik, pas shkurtimeve të ndjeshme të fondeve federale.
Donacioni i Scott vjen pasi administrata e ish-presidentit amerikan Donald Trump anuloi 25 milionë dollarë fonde federale të destinuara për organizatën, përfshirë mbështetjen për shërbimet LGBTQ+ brenda linjës kombëtare të parandalimit të vetëvrasjeve 988 Suicide & Crisis Lifeline.
“Ky donacion i jashtëzakonshëm vjen në një kohë vendimtare për organizatën tonë dhe për të rinjtë që u shërbejmë”, u shpreh Black, duke theksuar se fondet do të përdoren për forcimin e shërbimeve bazë të krizës dhe për qëndrueshmërinë afatgjatë të organizatës.
“The Trevor Project “vlerëson se rreth 40 milionë të rinj LGBTQ+ në mbarë botën e konsiderojnë seriozisht vetëvrasjen çdo vit, ndërsa aktualisht organizata arrin të ndihmojë vetëm një pjesë të vogël të tyre.
MacKenzie Scott e ka mbështetur më parë këtë organizatë, duke i dhuruar 6 milionë dollarë në vitin 2020. Ajo njihet ndërkombëtarisht për filantropinë e saj dhe për dhurimet e mëdha ndaj organizatave që fokusohen në barazi sociale, shëndet mendor dhe drejtësi shoqërore.
“Parandalimi i vetëvrasjeve nuk është një çështje politike, por një çështje e jetës njerëzore”, theksoi Black, duke shtuar se ky donacion është një hap i rëndësishëm drejt mbrojtjes së jetëve të të rinjve në rrezik.


