Një darkë mes dy personazheve të njohur ka ngritur pikëpyetje dhe ka tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare: ish-kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, dhe superylli i muzikës pop, Katy Perry, janë fotografuar së bashku në një nga restorantet më të njohura të Montrealit.

Sipas asaj që raporton TMZ, darka ka ndodhur të hënën mbrëma në “Le Violon”, një restorant që renditet i 11-ti më i miri në Kanada dhe që rekomandohet nga guida prestigjioze Michelin.

Në fotografitë e publikuara, Perry shihet e buzëqeshur pranë Trudeau-s, ndërsa të dy ndajnë pjatat përfshirë edhe një me karavidhe dhe shijojnë kokteje elegante në një ambient intim.

Ende nuk ka një konfirmim nëse takimi ishte thjesht miqësor apo ka nuanca romantike, por prania e tyre së bashku nuk ka kaluar pa u vënë re.

Katy Perry ndodhet aktualisht në Kanada në kuadër të një turneu muzikor, me ndalesën e radhës në Montreal këtë të mërkurë. Nga ana tjetër, Justin Trudeau është beqar që prej gushtit të vitit 2023, kur bëri publike ndarjen nga Sophie Grégoire Trudeau pas 18 vitesh martesë.

Edhe Perry, së fundmi, ka konfirmuar përfundimin e marrëdhënies me aktorin Orlando Bloom. A është ky fillimi i një kapitulli të ri për dyshen? Mbetet për t’u parë.