Ish-mbreti në ekzil i Spanjës, Juan Carlos I, ka zbuluar për herë të parë detaje tronditëse nga e kaluara e tij; ai ka vrarë aksidentalisht vëllain e vogël, Alfonsin, kur ishin adoleshentë. Rrëfimi ndodhet në kujtimet e tij të reja, një libër me 500 faqe të botuar në Francë, ku 87-vjeçari përpiqet të përballet me ngjarjet që e kanë ndjekur gjithë jetën.

Ngjarja ka ndodhur në vitin 1956, në shtëpinë e familjes mbretërore në Portugali. Sipas Juan Carlosit, ai dhe Alfonsi po “luanin” me një pistoletë, duke menduar se ishte e boshatisur. “E kishim hequr karikatorin, por nuk dinim që kishte mbetur një plumb në tytë. Një e shtënë u dëgjua papritur dhe plumbi goditi vëllain tim drejt në ballë. Ai vdiq në krahët e babait tonë,” shkruan ai në kapitullin “Tragedy”.