Një nga emrat e njohur të bodybuilding-ut ndërkombëtar po lufton për jetën, pasi pësoi një atak në zemër në banesën e tij në Mallorca. Luis Antonio Vidal Butler, ish-fitues i titullit Mister Universe, u ndje keq në shtëpi dhe humbi ndjenjat pas simptomave të forta, duke detyruar partneren të kërkonte ndihmë urgjente.

Shërbimet e urgjencës ndërhynë menjëherë dhe kaluan rreth 90 minuta duke e rikthyer në jetë, pasi ai kishte pësuar arrest kardiak. Pas stabilizimit në vendngjarje, ai u transportua në spital dhe aktualisht ndodhet në terapi intensive në gjendje kritike.

Sipas raportimeve, ai kishte publikuar video nga palestra vetëm pak orë përpara se të pësonte incidentin. Vidal Butler ishte një figurë e njohur në sport, me tituj europianë dhe botërorë, ndërsa vitet e fundit ishte aktiv edhe në rrjetet sociale si krijues përmbajtjeje.