35 vite pas Luftës së Gjirit, ish-piloti britanik John Nichol ka rikthyer kujtimet e tmerrshme të robërisë së tij në Irak, duke zbuluar momentin që, sipas tij, e “theu” psikologjikisht gjatë torturave nga ushtarët irakianë.

Ish-oficeri i RAF-it u kap në vitin 1991 pasi avioni i tij u rrëzua gjatë konfliktit në Gjirin Persik. Pamjet e tij dhe të pilotit John Peters, të rrahur dhe të detyruar të flisnin para kamerave nga regjimi irakian, tronditën botën në atë kohë.

Sot, në moshën 62-vjeçare, Nichol pranon se ende nuk arrin t’i shohë ato pamje televizive dhe se vazhdon të ndihet i turpëruar për faktin që iu përgjigj pyetjeve të rrëmbyesve. “Nuk ishin rrahjet ato që më thyen. Ishte momenti kur më vendosën letër pas shpine dhe ia vunë flakën. Nuk doja të vdisja”, rrëfen ai.

Piloti britanik qëndroi për shtatë javë rob në Irak, ku përjetoi tortura, izolim dhe marrje në pyetje brutale. Ai thotë se trauma e luftës e ka ndjekur gjithë jetën dhe se edhe sot vuan nga çrregullimi post-traumatik (PTSD).

“Edhe tani, nëse dëgjoj një zhurmë të fortë makine, rikthehem menjëherë atje”, shprehet ai, duke treguar se kujtimet e luftës nuk janë zhdukur kurrë plotësisht. Megjithatë, Nichol thotë se përvoja e tij e ndryshoi si njeri dhe e bëri të kuptonte më mirë traumën psikologjike që lufta lë pas te ushtarët. Ai u rikthye në shërbim pas lirimit dhe më vonë u bë komentator ushtarak dhe autor librash mbi luftën dhe mbijetesën.