Ish-futbollisti i Anglisë, Andy Carroll, 37 vjeç, ka zbuluar në autobiografinë e tij të re se disa vite më parë ishte sulmuar seksualisht nga një person që ai e përshkruan si mik dhe personazh të njohur publik. Sipas rrëfimit të Carroll, ngjarja ndodhi në vitin 2021. Ai tregon se atë mbrëmje kishte konsumuar disa pije dhe kishte shkuar herët për të fjetur, por më pas ishte zgjuar dhe kishte kuptuar se personi në fjalë po e su*lmonte.

Carroll thotë se e nxori personin nga shtëpia dhe se pati një përplasje fizike kur ai tentoi të hynte sërish. Më pas ish-sulmuesi telefonoi policinë, ndërsa kujton se shpërtheu në lot në krahët e dados së fëmijëve të tij. Sipas Carroll, personi përgjegjës u shpall më vonë fajtor për vepra penale sek*suale dhe u dënua me tre vite burg.

Në autobiografinë “Owning It”, ish-lojtari i Newcastle dhe Liverpool shkruan se ajo që i ndodhi ndikoi në çdo aspekt të jetës së tij. Ai tregon se mendonte për ngjarjen çdo ditë dhe se e kishte të vështirë të përqendrohej edhe te futbolli. Carroll pranon se trauma nuk është zhdukur dhe se kishte hezituar për një kohë të gjatë nëse duhej ta bënte publike historinë. Vendimin për ta përfshirë episodin në autobiografi e mori vetëm në momentet e fundit. Ai thotë se zgjodhi të fliste hapur me shpresën që rrëfimi i tij të ndihmojë edhe persona të tjerë që kanë kaluar përvoja të ngjashme. Aktualisht, Carroll luan dhe mban edhe rolin e ndihmës-trajnerit te Dagenham & Redbridge.