Këngëtari i dashur për publikun italian dhe jo vetëm, Tiziano Ferro, ka bërë disa deklarata mjaft tronditëse gjatë filmit dokumentar me titullin “Ferro”.


“Një natë anëtarët e grupit më bindën të pija. Dhe nga aty nuk ndaloja dot. Pija vetëm, pothuajse çdo ditë. Alkooli me jepte forcë për të mos menduar, por dhimbja dhe dëshpërimi po më shtynin të kryeja vetëvrasje. Kam humbur shumë raste dhe shumë miq. Isha një alkoolist. Alkoolizimi të bën të dukesh ndryshe përballë të tjerëve”, ka thënë këngëtari i famshëm në dokumentarin që do të transmetohet në platformën Amazone Prime.



Po gjatë këtij dokumentari, artisti italian rrëfehet se ishte “thjesht një alkoolist, bulimik, gay, në depresion dhe i famshëm. Madje dhe ky epitet, i famshëm më dukej defekt, madje më i keqi”.


Ferro ka zbuluar se nuk ka qenë asnjëherë i pari i klasës, ishte një anonim. “Nuk kam qenë aspak i bukur apo me trup atlet, përkundrazi isha i shëndoshë, i ndrojtur, të tjerët më thoshin bullafiq, je si femër, pa fat. Isha gjithmonë në pritje të dikujt që të më dilte në krah, por nuk ndodhte kurrë. Jetoja nën frikë, i zemëruar dhe fyhesha gjithmonë. Më pas fillova të këndoja dhe për herë të parë pashë që bota ndryshoi. Muzika ishte e vetmja gjë qe kisha. Ishte si një rrugë për t’u shprehur në një botë, e cila nuk më njihte”, kujton artisti, rininë e tij të hershme.


Filmi dokumentar përshkuan gjithë karrierën e Tiziano Ferros, duke nxjerrë në pah anën njerëzore te tij.