Një ditë më parë është zhvilluar gjyqi për grabitjen e armatosur prej 10 milionë dollarë që ndodhi në tetor të vitit 2016 kundër Kim Kardashian. Ylli televiziv ka dëshmuar në detaje rreth momenteve që përjetoi.

Në dëshminë e saj, Kim është shprehur se ishte e sigurt që njerëzit që hynë me forcë në dhomën e saj do t’a përdhunonin dhe më pas do t’a vrisnin.

“Erdha në Paris për Javën e Modës dhe Parisi është gjithmonë një vend që e dua shumë. Shëtisja nëpër qytet kur zgjohesha në mes të natës në orën 3:00 ose 4:00 të mëngjesit. Gjithmonë ndihesha vërtet e sigurt… Ndalesha në hotele të vogla për çokollatë të nxehtë, ishte magjike. Por kur erdha për Javën e Modës gjatë atij udhëtimi, gjithçka ndryshoi”, tha Kardashian në fillim të dëshmisë së saj.

Duke folur për tmerrin e saj ndërsa e hodhën në shtratin e hotelit, ylli televiziv tha:

“Rroba qe kisha veshur hapet dhe gjithçka u zbulua. Isha e sigurt se ai ishte momenti që ai do të më përdhunonte. Ai më tërhoqi drejt vetes dhe unë thashë një lutje dhe u përpoqa të përgatitesha mendërisht. Isha në shtrat dhe pastaj njëri prej tyre kishte drejtuar armën nga unë dhe isha e sigurt se do të më qëllonin”.

Kim shpjegoi gjithashtu se si e imagjinonte motrën e saj, Courtney, duke u kthyer në hotel dhe duke e gjetur të vdekur:

“Mendova se do të më gjente të vdekur në shtrat, të qëlluar, dhe se ky imazh do të mbetej me të përgjithmonë”.

Kur gjykatësi e pyeti nëse kishte frikë për jetën e saj, Kardashian u përgjigj pa hezitim: “ Isha absolutisht e sigurt se do të vdisja”.

Kim Kardashian shtoi se i ishte lutur një personi, i cili ishte gjithashtu i lidhur, që t’u përkthente atyre “se kam fëmijë, duhet të shkoj në shtëpi”. Ajo tha se nuk kishte asnjë ide se çfarë donin ata kur hynë me forcë në dhomën e saj për herë të parë:

“Isha ende në gjendje shoku, sepse sinqerisht shumë sulme terroriste po ndodhnin në botë dhe unë dhe shoqet e mia po flisnim për atë që po ndodhte në botë. Nuk e kuptova çfarë po ndodhte dhe nuk e kuptova se ishin bizhuteritë e mia, edhe pse ata kërkuan posaçërisht unazën time.”

Kim Kardashian tha se ndërhyrësit e morën dhe e hodhën në dyshemenë e banjës përpara se të iknin me vrap.

“Pastaj prita disa minuta – nuk isha e sigurt nëse do të ktheheshin, por pas disa minutash nuk dëgjova asgjë”, kështu që ajo filloi të çlirohej. “Mbaj mend që e thirra mamin tim për ta njoftuar se çfarë kishte ndodhur dhe pastaj, mendoj, pritëm që të vinte sigurimi im. Unë dhe Simone po përpiqeshim të hartonim një plan – nëse ata kthehen, pse të mos hidhemi nga dritarja?” , shtoi ylli televiziv.

Grabitja ndodhi ndërsa Kim Kardashian ishte në Paris për Javën e Modës dhe po qëndronte në Hôtel de Pourtalès. Grabitësit vodhën bizhuteri me vlerë gjithsej dhjetë milionë dollarë, përfshirë unazën e fejesës prej katër milionë dollarësh që ia kishte dhuruar bashkëshorti i saj i atëhershëm, Kanye West.