Lili Reinhart ka ndarë një postim të ndjerë në Instagram, këtë herë nga shtrati i spitalit, pak para se të hynte në sallën e operacionit.
Aktorja publikoi disa foto nga rrugëtimi i saj shëndetësor, me synimin për të ndërgjegjësuar dhe motivuar gratë që të kërkojnë përgjigje dhe kujdesin që meritojnë.
Ajo zbuloi se pas një procedure laparoskopike u diagnostikua zyrtarisht me endometriozë, pas vitesh kërkimesh dhe diagnozash të pasakta.
Reinhart tregoi se më parë ishte diagnostikuar me cistit intersticial dhe i ishte thënë se nuk kishte kurë, ndërsa askush nuk e kishte marrë seriozisht mundësinë e endometriozës.
Vetëm pas insistimit të saj për ekzaminime të mëtejshme dhe konsultave me specialistë, ajo arriti te diagnoza e saktë.
Aktorja u shpreh se është e lumtur që i besoi trupit dhe intuitës së saj, duke theksuar se endometrioza është një sëmundje e keqkuptuar, që shpesh kërkon vite për t’u diagnostikuar.







