Jack Osbourne ka zbuluar së fundmi momentin kur mësoi për vdekjen e babait të tij, Ozzy. Djali i legjendës së muzikës rock nuk mundi t’i përmbante lotët teksa fliste për të atin.
39-vjeçari ka rrëfyer se në orën 03.45 të mëngjesit, një person që kishte punuar për familjen për 30 vite, trokit në derën e shtëpisë së tij në Los Angeles dhe i dha lajmin e hidhur.
Në videon e publikuar në “YouTube”, më 3 shtator, ai dëgjohet duke thënë:
“Kur pashë nga dritarja dhe e dallova kush ishte, e kuptova menjëherë se diçka e keqe kishte ndodhur. Më tha se babai im kishte ndërruar jetë”.
Djali i këngëtarit të ndjerë tregoi gjithashtu se kishte pasur mundësinë të kalonte më shumë kohë me Ozzy-n gjatë ditëve të tij të fundit, pasi kishte qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar pas koncertit të fundit të muzikantit legjendar me grupin “Black Sabbath” në Birmingham, më 5 korrik.
Familja e tij kishte planifikuar të shkonte me pushime në Portugali, por udhëtimi u anulua pasi fëmijët e tij u sëmurën me gastroenterit, dhe për këtë arsye qëndruan edhe një javë shtesë në Angli.
“Nuk kam qenë kurrë më mirënjohës që fëmijët e mi u sëmurën me gastroenterit sesa sot”, tha 39-vjeçari i prekur.
Pavarësisht dhimbjes, ai pranoi se ndjen njëfarë lehtësimi, duke e ditur që babai i tij nuk vuan më.
“Do të doja të ishte ende këtu, të ishte me ne, por po kalonte një periudhë shumë të vështirë, dhe besoj se të gjithë e panë këtë në koncertin e fundit. Megjithatë, askush nuk e priste që të ndodhte kaq shpejt dhe në atë moment. Nuk ishte diçka që kishim në mendje”.
Jack zbuloi gjithashtu se Ozzy priste me padurim një kapitull të ri në jetën e tij pas performancës së fundit, pasi donte të kalonte më shumë kohë në Angli dhe me nipërit e mbesat e tij.
Me lot në sy, 39-vjeçari shprehu mirënjohje që pati Ozzy Osbourne si baba.
“Ishte një njeri thellësisht kompleks. Ishte qesharak, i çuditshëm, i ngathtë, i pabesueshëm dhe në të njëjtën kohë shumë i mprehtë”, u shpreh ai, duke shtuar se Ozzy “e dinte gjithmonë çfarë po ndodhte rreth tij”.
Ozzy Osbourne ndërroi jetë më 22 korrik nga një atak kardiak. Ai vuante gjithashtu nga sëmundja koronare e zemrës dhe sëmundja e Parkinsonit. Ishte 76 vjeç.