Avokati i njohur, Spartak Ngjela, ka qenë së fundmi i ftuar në emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, ku si rrallë herë ka folur për familjen e tij.

Përmes fotografive, Ngjela ka kujtuar babain e tij, ish-ministrin e atëhershëm në komunizëm, Kiço Ngjela, ku ka rrëfyer edhe për vitet e burgut.

Për 7 vjet me radhë ai ka ndarë të njëjtën qeli me të atin. Ngjela ka folur edhe për vëllanë e tij, Sokolin, i cili nuk jeton më.

Avokati tha se ai humbi jetën nga alkooli dhe kanceri, duke lenë një peng për të dhe të motrën. Lidhur me këtë fundit, ai tha se Shpresa, përherë ka qenë më superiore se ai dhe sot është i vetmi njeri që i ka mbetur.

“Vëllai ka vdekur 40 vjeç, i shkreti. Madje arriti edhe karrierën time politike. Jeta e çoi te pija, edhe pse ishte i fortë fizikisht. Por frekuentonte një lokal ku vdiqën tre a katër persona si ai.

U kanë dhënë alkool etilik që shkakton kancer. Shkova atje dhe më thanë: “Lëre, nuk e di ai, ia kanë dhënë”. Iku edhe ky, Kekua, dhe disa të tjerë që vdiqën nga i njëjti lloj kanceri që vinte nga alkooli etilik”, tha Ngjela.