I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë ish-deputeti Ervin Salianji, për një bisedë pa filtra mbi kohën e kaluar në burg, aktualitetin në vend, si dhe për dashurinë e tij të jetës…
Pjesë nga intervista:
Si ishin ndjesitë tuaja momentin e parë që shkelët në burg?
Nuk janë ndjesi të mira, janë ndjesi të përziera. Në një rast si ky i imi, ka dhe ndjesi të tjera që nuk kanë të bëjnë vetëm me burgun, që është padrejtësia, guximi që mafia mund të marrë revansh ndaj politikës apo institucioneve, që e padrejta të triumfojë me atë që duhet të jetë parimi moral më i rëndësishëm në një shoqëri të drejtë. Kanë qenë shumë elementë, si izolimi. I kupton më shumë disa liri ose të drejta kur nuk i ke. Kur i ke të duken të mirëqena. Kanë luftuar të tjerët që ne të kemi këto liri sot dhe çdo gjë që është e fituar pa mund, pa djersë, nuk ia di vlerën. Aty i kupton vlerën gjërave që në jetën e përditshme as nuk i imagjinon dot. Liria nuk është thjesht një koncept që vjen nga filozofia apo nga e drejta dhe që është një e drejtë natyrore e patjetërsueshme për njeriun, por kur të mungon e kupton se pse është vendosur në hierarkitë e gjërave më të rëndësishme në jetë, që është më e rëndësishmja në fakt.
Arritët të flinit gjumë natën e parë?
Për shkak të kohës nuk ta shpjegoj dot, por do ta shpjegoj me detaje në një libër që po bëj për këtë çështje. Janë detaje që mendoj se ka një lloj kurioziteti publik. Besoj që shumë shpejt do dalë. Jam thjesht duke hedhur disa të dhëna. Kam mbajtur disa shënime gjatë kohës së burgut, thjesht duhet zbardhur, duhen punuar. Për t’iu përgjigjur pyetjes drejtpërdrejtë, nuk e kam pasur këtë problemin që shumë qytetarë apo individë që shlyejnë dënimin, kanë një përballje jo të mirë me këtë. Unë jo vetëm që nuk e tregova, por e përballova ashtu siç ishte. Dhe aty kam bërë biseda të gjata. Kam fjetur pa problem. Por kam bërë biseda të gjata, duke diskutuar.
Ishte i frikshëm si ambient?
E para, je në izolim, që është element i një trysnie të madhe që të jep mungesa e lirisë. E dyta, je me orare. E treta, nuk je me zgjedhje aty. Ti je i detyruar që të shkosh. Ndryshe nga ç’flitet, se ka një mit, nuk ka kushte të mira në institucionet e vuajtjes së dënimit. Janë keq.
Krijuat një komunitet aty për të ndarë biseda?
Si profil, unë nuk është se jam pa miq, edhe jashtë. Kam pasur respektin e të gjithëve, pavarësisht se secili bën burgun për veprimet e veta. Është një burg i madh, pothuajse 900 të burgosur, me të cilët disa rrimë më shumë, disa më pak, por kam pasur respektin e të gjithëve. /Top Albania Radio/
