Për vite me radhë, Sylvester Stallone dhe Arnold Schwarzenegger nuk ishin thjesht dy yje të mëdhenj të Hollywood-it. Ishin rivalë që luftonin për të njëjtin fron, dhe sipas Stallone, konkurrenca mes tyre kishte shkuar shumë më larg nga sa mund ta imagjinonte publiku.

Në një intervistë të fundit për “The Sunday Times Magazine”, aktori i “Rocky” foli hapur për rivalitetin e famshëm me Schwarzenegger-in, duke e përshkruar atë periudhë si një konflikt që ndihej pothuajse si çështje jete a vdekjeje.

Ne ishim në fyt të njëri-tjetrit, shumë keq. Nuk ishte shaka. Ishte si jetë a vdekje. Duhej të ishim bashkë në Koloseumin Romak

-tha Stallone.

Rivaliteti mes dy ikonave të filmave aksion u ndez veçanërisht gjatë viteve ’80, kur të dy konkurronin për rolet më të mëdha të zhanrit. Stallone kishte “Rocky”-n dhe “Rambo”-n, ndërsa Schwarzenegger po ndërtonte statusin e tij me filma si “The Terminator” dhe “Commando”.

Por konkurrenca nuk mbeti vetëm te filmat. Të dy përpiqeshin të tejkalonin njëri-tjetrin edhe fizikisht, nga muskujt dhe armët e përdorura në filma, deri te mënyra se si prezantoheshin si heronj aksioni.

Stallone e sheh sot këtë periudhë me një tjetër perspektivë. Sipas tij, pikërisht rivaliteti i fortë i detyroi të dy të punonin edhe më shumë.

Është si kur një luftëtar e fyen tjetrin. Ai do të stërvitet edhe më shumë për t’i dhënë një rrahje. Ne kishim nevojë për njëri-tjetrin, absolutisht

-deklaroi ai.

Dhe rivaliteti nuk ishte gjithmonë vetëm një luftë për role. Stallone ka treguar më parë se Schwarzenegger madje e kishte mashtruar në lidhje me filmin “Stop! Or My Mom Will Shoot”, duke bërë sikur ishte i interesuar për projektin në mënyrë që Stallone të joshej ta merrte rolin.

Stallone e kujtonte atë periudhë si një kohë kur dy aktorët “me të vërtetë e urrenin njëri-tjetrin” dhe nuk duronin dot të ishin në të njëjtin ambient.

Megjithatë, historia mori një kthesë krejt tjetër. Pas rreth dy dekadash rivalitet, dy aktorët e lanë pas konfliktin dhe ndërtuan një miqësi që vazhdon edhe sot.

Ata përfunduan duke luajtur së bashku në disa filma, përfshirë “The Expendables”, “The Expendables 2”, “The Expendables 3” dhe “Escape Plan”.

Në retrospektivë, Stallone nuk e sheh më Schwarzenegger-in vetëm si rivalin që duhej mposhtur. Përkundrazi, ai pranon se prania e tij në Hollywood e shtyu të kërkonte vazhdimisht më shumë nga vetja.

Dy prej figurave më të mëdha të aksionit në historinë e Hollywood-it, që dikur nuk duronin as të qëndronin në të njëjtën dhomë, sot e përshkruajnë atë luftë si një konkurrencë që në fund i ndihmoi të dy.