Aktori britanik Stephen Graham ka folur hapur për një nga periudhat më të vështira të jetës së tij, duke rrëfyer për herë tjetër për tentativën për t’i dhënë fund jetës, kur ishte rreth të 20-ave.
Në një intervistë të fundit për “The Times”, ylli i “Adolescence” tha se në atë periudhë ndihej i humbur dhe se kishte grumbulluar shumë dhimbje emocionale pa i shprehur. Graham e lidhi krizën me një sërë ngjarjesh të dhimbshme familjare që kishte përjetuar para dhe gjatë kohës kur u largua nga shtëpia për të ndjekur shkollën e aktrimit në Londër.
Ishte një fuqi më e lartë që më shpëtoi, ishte diçka tjetër
-u shpreh aktori, duke shtuar se në atë kohë ishte “një i ri që ishte mjaft i humbur” dhe se nuk e kuptonte plotësisht se çfarë po i ndodhte.

Graham tregoi se nëna e tij kishte përjetuar një abort spontan disa vite më herët, ndërsa gjyshja e tij kishte ndërruar jetë. Sipas tij, kishte shumë gjëra që i kishte mbajtur brenda dhe nuk kishte ditur t’i përpunonte emocionalisht.
Aktori ka treguar edhe më parë se gjatë tentativës kishte dëgjuar zërin e gjyshes së tij të ndjerë që thërriste emrin e tij. Kur hapi sytë, kuptoi se kishte mbijetuar pasi litari ishte këputur.
Pas ngjarjes, Graham u përpoq fillimisht ta fshihte atë që kishte ndodhur. Megjithatë, nëna e tij vuri re shenjat në qafë dhe ai më në fund u tregoi prindërve për gjithçka. Mbështetja e familjes dhe këshillimi profesional e ndihmuan të përballonte periudhën që pasoi.
Duke reflektuar për atë periudhë sot, aktori thotë se ka ndërtuar një marrëdhënie shumë më të fortë me veten dhe me mënyrën se si përballet me vështirësitë.
Ishte një periudhë e vështirë, por e kam kaluar. Tani kam themele të forta dhe një ndjenjë të fortë për veten
-tha Graham.
Ai ka treguar gjithashtu se meditimi, reiki dhe aktiviteti fizik janë bërë pjesë e rutinës së tij të përditshme për mirëqenien.
Rrëfimi i fundit i Graham vjen disa vite pasi ai vendosi të fliste publikisht për këtë përvojë, duke theksuar rëndësinë e të folurit hapur për periudhat e vështira dhe të kërkuarit të mbështetjes kur dikush po përballet me një krizë.
