Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, ka folur hapur rreth vështirësive që ai dhe bashkëshortja e tij, Michelle, përjetuan pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.
Obama pranoi gjatë një bisede në “O2 Arena” të Londrës, se marrëdhënia e tyre kishte kaluar përmes një periudhe të tensionuar.
“Po dilja nga ajo gropë në të cilën rashë me Michelle-n”, u shpreh ish-presidenti amerikan, duke shtuar se gjërat janë stabilizuar dhe martesa e tyre sot është më e fortë se kurrë.
Obama shpjegoi se pesha e presidencës pati ndikim të madh në jetën e tyre private, dhe se pas përfundimit të mandatit, iu desh të punonte shumë për të rigjetur balancën me ish-Zonjën e Parë të SHBA.
Deklaratat e Obama-s vijnë pas shumë aludimeve në media për një krizë martesore, të cilat u nxitën nga mungesa e Michelle në disa evente publike.
Megjithatë, bashkëshortja e Barack Obama-s i ka mohuar kategorikisht këto thashetheme, duke sqaruar se tërheqja e saj nga jeta publike ishte një vendim personal.
“Nëse do të kishte probleme serioze, unë do të isha e para që do ta thosha”, tha ish-Zonja e Parë në një podkast.
Pavarësisht sfidave, çifti Obama, të martuar që nga viti 1992, vazhdojnë të jenë një shembull i qëndrueshmërisë në çift. Michelle së fundmi publikoi një mesazh prekës për Barack-un, duke e cilësuar si një partner të palëkundur në çdo fazë të jetës së tyre.