I ftuar në “Ftesë në 5” me Bieta Sulon ka qenë një ditë më parë gazetari korrespondent nga Londra, Arben Manaj, ku bëri një rrëfim si rrallëherë për jetën e tij private dhe atë profesionale.

Gjatë kësaj interviste, Manaj foli për rrugëtimin e tij në media. Prej vitit 2011 ai është zëri i Top Channel në Londër, një rrugëtim sa i bukur por edhe plot sfida për një gazetar në vend të huaj.

Edhe pse e vështirë për një gazetar në 4 dekada në këtë profesion, Arben Manaj tregoi për një nga momentet që ka shënjuar në jetën e tij dhe ai moment ka qenë zhvarrimi i Enver Hoxhës.

“Zhvarrimi i Enver Hoxhës sepse ishte një operacion tmerrësisht sekret. Berisha sa kishte ardhur në pushtet atëherë, ka qenë 4 maj i 1991 në mos gaboj. Mua më merr në telefon Gramoz Pashko i ndjerë dhe më thotë ‘po bëhet zhvarrimi i Enver Hoxhës’. Atë e kishin njoftuar për shkak të babait, Josif Pashkos, dhe është te varrezat e dëshmorëve. Me ato taksitë e kuqe që kanë qenë dikur te 15 katëshi, në mes të natës shkojmë te varrezat e dëshmorëve.

Shikojmë ato me dritat, po punonin ata. Po përpiqeshin t’a hapnin por nuk e hapnin dot për shkak se varri i Enver Hoxhës ishte shumë i fortë. Ne arritëm që t’a kapnim, e konfirmuam si lajm. Kemi qëndruar tërë natën sepse nuk na linin. Na thanë se do të bëhej zhvarrimi dhe në orën 6-7 të mëngjesit te Sharra do të jetë varrimi, te varrezat publike. Shkojmë atje, kë gjejmë? Hysni Milloshin, i thashë se dua diçka për ngjarjen dhe më thotë ‘komandanti e ka vendin tek ushtarët’. Dhamë lajmin tërë kohën. Atë ditë isha dhe redaktor përgjegjës në Radio Televizion dhe vinte edhe Mitsotakis atë ditë. Tërë natën pa gjumë, plus edhe vizita e Mitsotakis. Bëj lajmin dhe e çoj në Vjenë, skup i madh, ka bërë paren e dynjasë atë ditë. Ishte një nga ngjarjet më të bukura”, tregoi gazetari i njohur.