Influencuesi i njohur, Ben Bader, ka ndërruar jetë në moshën 25-vjeçare. Ka qenë e dashura e tij, Reem, që ka konfirmuar lajmin e trishtë përmes një postimi në rrjetin social “TikTok”.

Ndjekësit e të riut u tronditën nga vdekja e tij e papritur më 23 tetor. Bader ishte i njohur për ndarjen e këshillave për stilin e jetës dhe ato financiare në platforma si “Instagram”, “TikTok” dhe X, ku kishte më shumë se 200 mijë ndjekës.

Ndërkohë një zëdhënës i Departamentit të Policisë Jupiter, Shawn Reed, ka dhënë një deklaratë dje për “People”:

“Bader u gjet i pandjeshëm në klubin në Admirals Cove, një komunitet privat i vendosur në Jupiter, Florida, ku ai ishte banor. Autoritetet mbërritën në vendngjarje pak para orës 6.30 të mbrëmjes”.

Sipas Reed, i riu u gjet nga banorët e tjerë dhe ‘dukej se nuk po merrte frymë’.

“Masat për shpëtim u kryen para mbërritjes së ndihmës së parë dhe më pas u vazhduan nga personeli mjekësor.  Bader u dërgua më pas në një spital, ku më vonë u shpall i vdekur”, ka vijuar ai.

Nga ana tjetër, Reem bëri një postim të ndjerë në rrjetet e saj sociale, duke e përshkruar 25-vjeçarin si një person jashtëzakonisht të sjellshëm dhe bujar.

“Beni ishte personi më i sjellshëm, më i kujdesshëm dhe bujar që kam takuar ndonjëherë. Ai i donte vërtet të gjithë ata që takonte dhe gjithmonë përhapte energji pozitive”, shkroi ajo.