Sam Rivers, basisti dhe anëtari themelues i grupit amerikan nu-metal Limp Bizkit, ndërroi jetë në moshën 48-vjeçare. Grupi njoftoi lajmin në një postim, duke e përshkruar Rivers-in jo vetëm si basisti i tyre, por edhe si “shpirti i tingullit tonë”. Shkaku i vdekjes nuk është zbuluar ende.
“Që nga nota e parë që luajtëm së bashku, Sam solli një dritë dhe ritëm që nuk mund të zëvendësohet kurrë, shkruajnë anëtarët e grupit në postim. Talenti i tij ishte i natyrshëm, prania e tij e paharrueshme, zemra e tij e madhe.
Ne ndamë kaq shumë momente, disa frenetike, disa të qeta, disa të bukura dhe secili prej tyre kishte kuptim të veçantë sepse Sam ishte aty.
Ai ishte një qenie njerëzore e veçantë. Një legjendë e vërtetë midis legjendave. Dhe shpirti i tij do të jetojë përgjithmonë në çdo ritëm, në çdo skenë e në çdo kujtim. Të duam, Sam! Do të të mbajmë gjithmonë me vete. Pusho në paqe, vëlla! Muzika jote nuk do të mbarojë kurrë. Postimi është nënshkruar nga Fred Durst, John Otto, Wes Borland e DJ Lethal”.
Limp Bizkit u themeluar në Jacksonville në vitin 1994, teksa arriti kulmin e popullaritetit midis fundit të 1990-ës e fillimit të viteve 2000, duke ndihmuar në popullarizimin e zhanrit nu-metal, që bashkoi tingujt metal me elementë të hip hop-it.
Albumi më i fundit i grupit, “Still Suck”, daton katër vjet më parë, por së fundmi publikoi këngën e re, “Making Love to Morgan Wallen”, si dhe performoi në Festivalin Reading, në muajin gusht.
Më parë, Sam Rivers kishte vuajtur nga alkoolizmi i rëndë, çka e bëri që t’i nënshtrohej një transplanti të mëlçisë.
“Ndalova së piri alkool dhe bëra gjithçka që më thanë mjekët, i pati thënë autorit Jon Wiederhorn në librin e tij “Raising Hell”. Iu nënshtrova trajtimit të alkoolizmit dhe bëra një transplant mëlçie, që ishte një zgjedhje perfekte”.