Grimieri i njohur, Olti Shulla, ka treguar ditën e sotme detaje nga bashkëpunimi i tij me këngëtarin e ndjerë George Mazonakis.

I ftuar në ‘Breaking me Fiori Dardha’, Shulla tregoi se Mazonakis ishte një artist pak tekanjoz, por gjithmonë kujdesej dhe mirëmbahej për paraqitjen e tij.

“Ishte tipi që kurohej shumë, mirëmbahej shumë. Shihej që ishte nga artistët më të mirë dhe i veshur më i bukur nga të tjerët. Mua më morën në telefon për të dhe më thanë që kemi sjellë Mazonakin në Shqipëri dhe ne vendosëm t’i flasim për ty. Ai kishte thënë po, më sillni Oltin. Unë shkoj e rregulloj dhe më pas mendova që do ikja, por ai u thotë organizatorëve se unë do këndoj, do rikthehem dhe do rregullohem prapë.

Në fakt me çfarë unë e kuptova, ishte tekanjoz. E kanë artistët këtë gjë dhe normalisht kërkojnë më shumë. I thotë motrës ose mbesës që i pëlqeu energjia ime dhe grimi im. Folëm pak, vendosëm se çfarë mund të bënim. Më ftoi edhe në Greqi për bashkëpunime të tjera”, tha Shulla.

Shulla, si një nga grimierët e fundit të Mazonakis para se të ndërronte jetë, ka treguar se ai ishte edhe shumë besimtar, madje lutej para se të dilte në skenë për të performuar.

“Ajo që mua më ra në sy më tepër ishte që ai ishte shumë besimtar. Në një moment na nxori të gjithëve nga dhoma dhe më tha kam 5 minuta punë, kishte një kryq në tavolinë, do lutej para se të hynte në koncert”, përfundoi ai. /Top Channel/