Një zhvillim i ri ka ringjallur shpresat në një nga rastet më misterioze të zhdukjes së fëmijëve në Evropë. Kerry Needham, nëna e britanikut Ben Needham, i zhdukur në ishullin grek Kos në vitin 1991, po përpiqet të sigurojë akses në dosje hetimore që sipas saj mund të hedhin dritë mbi atë që ndodhi me djalin e saj afro 35 vite më parë.
Ben ishte vetëm 21 muajsh kur u zhduk në korrik të vitit 1991, ndërsa ndodhej pranë një ferme ku punonin gjyshërit e tij. Që prej asaj dite, fati i tij ka mbetur i panjohur, ndërsa familja nuk ka ndalur kurrë kërkimet. Kerry Needham shprehet se dokumentet që kërkon prej vitesh mund të përmbajnë deklarata dëshmitarësh, pista të hershme hetimore dhe informacione të mbledhura nga policia greke menjëherë pas zhdukjes së djalit. Ajo pretendon se këto materiale nuk janë analizuar kurrë në tërësi dhe mund të ofrojnë përgjigje të reja.
Sipas saj, kjo mund të jetë mundësia e fundit për të zbuluar të vërtetën, pasi shumë prej personave që kanë dijeni për ngjarjen janë tashmë në moshë të avancuar. Ajo ka nisur bashkëpunimin me një agjenci private hetimore në Greqi, e cila pretendon se mund të sigurojë dosjet dhe të rihapë hetimet nga fillimi.
Nëna e Benit vazhdon të besojë se djali i saj mund të jetë rrëmbyer nga trafikantë fëmijësh dhe më pas të jetë adoptuar ilegalisht jashtë Greqisë. Ajo argumenton se deri më sot nuk është gjetur asnjë provë përfundimtare që të mbështesë teorinë se fëmija humbi jetën në një aksident apo u vra. Pavarësisht kalimit të dekadave, Kerry Needham thotë se nuk do të heqë dorë kurrë nga kërkimi për djalin e saj, duke e cilësuar këtë mision si betejën që ka dominuar gjithë jetën e saj.



