Aktorja e serialit të njohur, “Sopranos”, Drea de Matteo, ka zbuluar së fundmi se ka hapur profil në faqen për të rritur “OnlyFans”, sepse nuk po merrte më oferta për punë që kur refuzoi të bënte vaksinën antikoronavirus
51-vjeçarja ka bërë një postim në profilin e saj në “Instagram” për të promovuar profilin e ri në rrjetin social për të rritur, ku fansat mund të abonohen për 15$ në muaj.
“E di që kanë folur keq për mua që kur kam hyrë në OnlyFans. Por, unë jam luftëtare. Unë i mbështes shumë nënat shtëpiake, që rrisin fëmijët e tyre. Nuk prisja që në këtë moshë të ndryshoja karrierë, por duhet ta bëj sepse industria ku kam punuar gjithë këto vite mendon se jam njeri i egër”, ka thënë De Matteo për “Fox News”.
51-vjeçarja i referohet reagimit që ka pasur industria e filmit mbi pozicionin që mori ajo në lidhje me vaksinimin ndaj Covid-19. Aktorja tha se agjenti i saj e la dhe për pak sa humbi shtëpinë:
“Mund të themi se u pashë si vajzë e keqe sepse nuk ndoqa rregullat dy vite më parë. Nuk dua të jem më në mëshirën e të tjerëve. Fëmijët e mi më kanë mbështetur në këtë nismë. Madje, vajza më editon fotot. Kjo është situata ime e re, dikur kisha shumë para, ndërsa sot nuk më lejojnë të punoj. Unë nuk kam qenë nga ato aktore që pranoja role thjesht për të qëndruar në qarkullim, por i pranoja për të mbajtur familjen”.
51-vjeçarja shprehet se shumë dalin me të brendshme dhe janë seksi e provokuese në “Instagram”, por ajo nuk e bën një gjë të tillë. Për këtë arsye ka vendosur që t’a bëjë në “OnlyFans” pasi paguhet.
“Nuk e di pse nuk e mendova këtë më herët”, ka shtuar Drea de Matteo.
Kjo e fundit ka interpretuar Adriana La Cerva në serialin “The Sopranos” nga viti 1999 deri në vitin 2006, duke fituar edhe një çmim Emmy si aktorja më e mirë joprotagoniste në vitin 2004.