Këngëtarja e njohur, Evi Reçi, ishte pasditen e djeshme e ftuar në emisionin “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, pas një mungese 2-vjeçare në ekran.

Një përballje mes “kolegesh dhe rivalesh”, siç e cilësoi vetë Bieta me humor në hyrje të intervistës.

Gjatë kësaj interviste, Evi foli rreth mëmësisë dhe marrëdhënies në distancë me partnerin e saj, Kledi Hysa.

“Jam e fortë, por mbrëmjet pa Kledin janë të vështira”, tha këngëtarja.

Më tej Reçi shtoi se të qenurit prind, e ka bërë të shohë me më shumë prioritet se cila është forma e duhur për të rritur një djalë sot.

“Për mua trofeu i këtij viti është djali sepse erdhi në momentin e duhur, kur të dy ishim të pjekur, ishim të rritur, ta vaksinuar, dinim vërtetë ça donim nga jeta. Nuk ishte vit i lehtë, se nuk vjen me një manual mëmësie, por ka qenë sfidues dhe ndërmjet sfidave ti rrit veten dhe zbulon veten, kalit durimin. Ka qenë një vit i bukur”, tha Evi Reçi.

Ajo rrëfeu se pse vendosi që djalin t’a lindte në Austri:

“Kledi prej gati 30 vitesh jeton atje, është shtetas austriak. Për lehtësime të së ardhmes. Edhe për çështje shëndetësore, ishte diçka më e kontrolluar. Sigurisht unë jam ndjekur deri në muajin 8 këtu në Tiranë. Vendosëm t’a bënim lindjen atje që çdo gjë të ishte më e lehtë dhe djali të përfitonte ça i takon për të përfituar”.

Përgjatë emisionit, këngëtarja e njohur u surprizua dhe me një videomesazh nga partneri i saj, Kledi.

“Për mua je nëna dhe gruaja ideale”, u shpreh ai nga Austria duke treguar dashurinë e pakushtëzuar që distanca s’ka mundur ta prekë asnjë moment.