Snoop Dogg ka reaguar pas valës së kritikave që mori për konentet e tij mbi përfaqësimin e komunitetit LGBTQ+ në filmin e animuar “Lightyear”.

Reperi 53-vjeçar u vu në qendër të debatit pasi pranoi se ishte “frikësuar të shkonte në kinema” për shkak të një skene ku shfaqet një çift i të njëjtit seks.

Në një reagim të fundit, Snoop theksoi se nuk kishte qëllim diskriminues dhe se fjalët e tij u keqkuptuan, shkruan DailyMail.

Ai shpjegoi se ndodhej në një shëtitje familjare kur nipi i tij i vogël e pyeti se si një personazh femëror në film kishte një fëmijë me gruan e saj, dhe se ishte zënë në befasi.

“U panikova sepse nuk kisha një përgjigje gati për një 6-vjeçar”, tha ai, duke shtuar: “Të gjithë miqtë e mi gej e dinë se më mbështesin. Më mësoni si të mësoj. Nuk jam perfekt”.

“Lightyear”, i cili pati premierën në vitin 2022 me zërin e Chris Evans, përfshinte personazhin Alisha Hawthorne (dubluar nga Uzo Aduba), që martohet me partneren e saj Kiko dhe rrit një fëmijë.

Skena e puthjes së tyre ishte ndër momentet më të komentuara të filmit dhe u rivendos pas protestës së stafit të Pixar.

Deklaratat e Snoop Dogg ngjallën reagime të ashpra në rrjete sociale, me shumë kritikë që e akuzuan për homofobi.

Megjithatë, vetë artisti këmbëngul se komentet e tij ishin pasojë e hutimit dhe jo e paragjykimit. “Kam dashuri për të gjithë. E gjitha ishte një moment i gabuar, jo një bindje”, shkroi ai.

Skenaristja Lauren Gunderson, e cila kontribuoi në draftet e hershme të filmit, reagoi gjithashtu duke mbrojtur përfshirjen e çiftit gej në histori. “E dija efektin që mund të kishte përfaqësimi i tyre. Jam krenare që u mbajt. Dashuria është dashuri”, tha ajo.

Kjo nuk është hera e parë që Snoop Dogg përballet me kritika mbi këtë temë, por këtë herë ai shprehet i gatshëm të reflektojë. “Nuk do ta mbyll bisedën. Dua të mësoj e të bëhem më i mirë”, përfundoi ai.