Duket se Rob Reiner e ka ndjerë rrezikun nga djali i tij, Nick. Raportohet se regjisori i famshëm ka thënë se ishte i tmerruar se i biri mund ta dëmtonte, në fjalët e tij të fundit gjatë festës së Krishtlindjes të Conan O’Brein, para se ai dhe bashkëshortja e tij të gjendeshin të vrarë të dielën.

“Daily Mail” shkruan se një nga yjet e pranishëm në funeralin e regjisorit dhe gruas së tij, la të tjerët në lot kur zbuloi fjalët e fundit që 78-vjeçari thuhet se i kishte thënë në festë.

“Jam i tmerruar nga [Nick]. Nuk mund ta besoj që po e them këtë, por kam frikë nga djali im. Mendoj se djali im mund të më dëmtojë,” kujtoi një yll i paidentifikuar se Rob tha, sipas një burimi që ishte në funeral.

Shumë nga të pranishmit u emocionuan pasi dëgjuan fjalët e tij. Në funeral ishin gjithashtu të pranishëm aktori i “The Princess Bride” Billy Crystal dhe gruaja e tij Janice, si dhe komedianët Larry David, Bill Hader dhe Conan O’Brien.

Në orët para vdekjes së Rob dhe Michele, çifti raportohet se kishte pasur një grindje me djalin 31-vjeçar, i cili thuhet se “shpërtheu” me zemërim në festën e Krishtlindjes të O’Brien më 13 dhjetor.

Një mik i afërt i familjes tha se “ata kishin pasur një debat në festën e Krishtlindjes të Conan, dhe Rob u kishte thënë njerëzve se ishin të shqetësuar për Nick dhe për gjendjen e tij mendore që po përkeqësohej.”

Sipas disa mediave të huaja, Nick po sillej në mënyrë të çuditshme me të ftuarit gjatë festës. Një burim tha për “People” se “Nick i trembte të gjithë, sillej si i çmendur dhe vazhdonte të pyeste njerëzit nëse ishin të famshëm.”

Kujtojmë se Nick u arrestua dhe është akuzuar për dy akuza për vrasje në shkallë të parë për vdekjen e prindërve të tij.

Më 18 dhjetor, Mjeku Ligjor i Qarkut Los Angeles zbuloi se shkaqet zyrtare të vdekjes ishin “dëmtime të shumta nga mjet i mprehtë”. Mënyra e vdekjes për prindërit u klasifikua si vrasje.