Aktori i njohur amerikan Danny Glover ka bërë të ditur se është diagnostikuar me sëmundjen e Alzheimerit, duke folur për herë të parë publikisht për gjendjen e tij shëndetësore.

79-vjeçari e konfirmoi lajmin gjatë një interviste në emisionin “Today”, ku tregoi se diagnozën e mori jo shumë kohë pasi u nderua me një çmim Oscar nderi në vitin 2022.

Glover tha se po përpiqet ta përballojë sëmundjen me qetësi, edhe pse është i vetëdijshëm se gjendja e tij do të ndryshojë me kalimin e kohës.

Në një farë mënyre, mund të jetoj me të. Por jam i sigurt se, ndërsa sëmundja përparon, gjërat do të jenë të ndryshme dhe do të ndryshojnë -u shpreh aktori.

Ai theksoi se mbështetja e familjes ka qenë thelbësore në këtë periudhë të vështirë dhe u shpreh mirënjohës që të afërmit e tij janë pranë në çdo hap.

Edhe vajza e tij, Mandisa Glover, mori pjesë në intervistë, duke thënë se ishte e rëndësishme që babai i saj ta tregonte vetë historinë e tij.

Është shumë e rëndësishme që ai të ketë kontroll mbi historinë e tij dhe mbi rrugëtimin e tij. Njerëzit bëjnë pyetje dhe unë nuk dua të jem e pandershme e të them se gjithçka është perfekte dhe në rregull -tha ajo.

Gjatë bisedës, Danny Glover reflektoi edhe mbi karrierën e tij shumëvjeçare, duke e cilësuar filmin “Places in the Heart” si projektin më të dashur për të.

Ai foli gjithashtu për përkushtimin e tij ndaj edukimit të të rinjve dhe rëndësisë së përgjegjësisë shoqërore.

Drejtësia është përgjegjësia jonë e përbashkët. Mësova nga prindërit e mi se njerëzit kanë aftësinë të ndryshojnë dhe të formësojnë rrugën e tyre -tha aktori.

Kjo nuk është sfida e parë shëndetësore për Glover. Ai ka folur më herët edhe për betejën e tij me epilepsinë, me të cilën është përballur që nga adoleshenca, ndërsa sulmin e fundit e ka pasur në moshën 35-vjeçare.