I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë ish-deputeti Ervin Salianji, për një bisedë pa filtra mbi kohën e kaluar në burg, aktualitetin në vend, si dhe për dashurinë e tij të jetës…
A ta ndryshon jetën dashuria?
Unë jam tek ata që besoj. Ka nga ata që janë besimtarë, ka nga ata që nuk janë besimtarë në përgjithësi. Unë hyj tek njerëzit që besoj, besoj në Zot, besoj që ekziston dhe nuk është vetëm në libra dashuria.
Kur vjen fjala tek dashuria, ju jeni idealist?
Idealist jam në përgjithësi tek të gjitha, por po themi në këtë dimension, ku nuk e shoh si një raport kontraktual. Padiskutim që për mua është element i rëndësishëm ndjesia, kimia, përfshirja që ka një element përtej të zakonshmes. Kështu që padiskutim që po.
Jeni tradicional si natyrë, ju pëlqen martesa?
Po, por nuk është se e shoh domosdoshmëri, apo nuk kam ndonjë gjykim për njerëzit që nuk i duan eventet, organizimet. Ashtu siç nuk kam nënvlerësim apo ndonjë gjë të veçantë për të gjithë njerëzit që e bëjnë. Unë mendoj se është si të vjen dhe varet kur të vjen. Po flasim për institucion jo vetëm ligjor. Besoj që njeriu duhet të jetë jo vetëm i lirë, por është në ndërgjegjen e gjithsecilit që të zgjedhë formën e vetë. Nuk të bën vetëm martesa që dy njerëz të jenë me njëri-tjetrin. Po flas si institucion ligjor. Ndërsa në aspektin e bashkëjetesës apo të jetesës së përditshme, nuk besoj se bën ndonjë ndryshim nga format e tjera të bashkëjetesës, të qëndrimit me njëri-tjetrin.


