I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë analisti dhe teologu Arjan Curri, për një bisedë pa filtra dhe plot provokime nëpërmjet deklaratave të tij të forta…
Ronaldo: Pse nuk je martuar?
Arjan Curri: Unë jam i martuar, me lirinë time. Kam bërë martesë në kishë. Kisha ka dy lloje martesash, ose të martohesh me një grua me të cilën do të bësh fëmijë dhe familje, ose të martohesh me një liri të pamatë dhe të pafund, me të cilën ti je i atashuar.
Ronaldo: Bashkëjetoni në një shtëpi?
Arjan Curri: Me lirinë unë jam dhe tani, këtu, në përjetësi. Jam një dashnor i llahtarshëm, një gjuajtës i përjetshëm i lirisë. Dhe aty ku e gjeta martesën me të, e bëra.
Ronaldo: Ka erotizëm mes teje dhe lirisë tënde?
Arjan Curri: Patjetër. Zoti një nga cilësitë që ka, është liria dhe erotizëm duhet të ketë mes njeriut dhe Zotit, mes njeriut dhe krijesës, mes njerëzve me njëri-tjetrin. Pra, liria është një dimension që nuk ka as masë, as kufij, as kohë, as hapësirë. Është gati-gati të bërit një me Zotin. Unë këtë martesë e kam bërë dhe i kam qëndruar deri tani besnik. Mund të ndërroj nesër, kur të ndërroj do ta them, por deri tani nuk kam ndërruar akoma.
Ronaldo: Mund ta tradhtoje?
Arjan Curri: Mund ta tradhtoja nëse do të gjeja një më të mirë se ajo, deri tani nuk kam gjetur.
Ronaldo: Ka më të mirë se liria?
Arjan Curri: Nuk besoj se ka. Ka ose liri, ose burg, nuk ka një gjë në mes. Nuk mund të jesh dhe i lirë dhe në burg. Unë e kam gjetur lirinë, jam i martuar me të, në kishë madje.
Ronaldo: Ka pasur të ftuar në ceremoni?
Arjan Curri: Patjetër, kishte plot. Që nga Kryepeshkopi, deri te ai që fik dhe ndez qirinjtë. Ishte mamaja ime, miq, kolegë. Kisha veshjen time të martesës dhe u martova në kishë. Më bekoi Kryepeshkopi. Dhe kjo është martesë e përjetshme.

