Ylli i muzikës pop, Bebe Rexha ka rikujtuar një natë të çmendur dhe të dehur argëtimi që përfundoi me një moment të papritur me një fanse femër, përvojë që më pas e frymëzoi të krijonte një këngë. E nominuara katër herë për çmimin ‘Grammy’ tregoi se kishte shkëmbyer puthje me një fanse në një klub nate në Tokyo, përvojë që sipas saj u bë frymëzim për këngën e saj “Tokyo”.

Duke folur për këtë episod, ajo tha se gjithçka ndodhi një ditë pas Halloween-it, festë që e adhuron dhe që donte ta shijonte me një mbrëmje feste. Këngëtarja shpjegoi se në klub ishte ulur pranë një tavoline me burra dhe gra, e vendosur menjëherë pas kabinës së DJ-it.

Ajo kujtoi se pranë tyre ndodhej një tjetër tavolinë me disa djem dhe vajza tërheqëse, kur një vajzë japoneze iu afrua dhe filluan të vallëzonin shumë pranë njëra-tjetrës. “Pastaj ajo thjesht filloi të më puthte”, tregoi Rexha në një intervistë për Page Six, duke shtuar se ishte një nga netët më të bukura që kishte kaluar ndonjëherë dhe se pikërisht kjo e shtyu të shkruante një këngë për atë moment.

Ajo pranoi se nuk qëndroi në kontakt me vajzën misterioze, duke theksuar se atë natë të gjithë ishin dehur shumë. Kur u pyet nëse do të dilte ndonjëherë me një fans, ajo u përgjigj me humor se nuk dëshiron të thotë jo, sepse nuk i dihet kurrë. Në tekstin e këngës së saj, artistja këndon edhe vargun: “I kissed a girl in Tokyo”.