Eftuar në emisionin e sotëm të “Ndryshe” me Salsano Rrapi dhe Elona Duro ka qenë Anila Basha. Ajo është një gazetare dhe botuese shqiptare me një karrierë të gjatë në median shqiptare.
Karrierën e saj si gazetare e ka filluar në vitin 1995, duke punuar për gazetat “Intervista” dhe “Dita Informacion”. Më pas, ka qenë gazetare politike dhe redaktore në median “Koha Jonë”. Në vitin 2000, ka drejtuar disa media kryesore si “Koha Jonë” dhe “Panorama”, dhe më pas ka shërbyer si kryeredaktore dhe drejtoreshë në “Gazeta Shqiptare” për më shumë se 10 vite. Në vitin 2011, ka bashkëthemeluar median “Shqiptarja.com”. Që nga viti 2016, ka themeluar dhe drejton mediat online “Newsbomb.al” dhe “Newsport.al”. Në mars të vitit 2022, Anila Basha u bë gruaja e parë që u zgjodh anëtare e Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), duke u fokusuar në zhvillimin e futbollit të vajzave në Shqipëri dhe përmirësimin e komunikimit me publikun. Në prill të vitit 2020, Anila Basha u bë nënë për herë të parë, duke sjellë në jetë djalin e saj, Aris.
Duke qenë se ajo ka vite në gazetarinë shqiptare, cilat lajme ‘shesin’ ose më saktë klikohen më shumë nga lexuesit?
Showbiz-i pa dyshim. Njerëzit janë të lodhur nga politika. Këtë duhet ta kuptojmë. Pas atyre vijnë ngjarjet kriminale, që kanë një lloj kurioziteti për filma me mafia, për grupet kriminale.
Kur thotë për showbiz, e ka fjalën edhe për programet televizive si Big Brother ose të tjera?
Po, për Big Brother-in. Domethënë tani ka filluar dhe e shohim edhe nga media jonë në mënyrën se si njerëzit atashohen për ta komentuar për të rritur ‘engagement’. Duhet të kuptoni që ne varemi shumë nga sa shumë njerëz na shohin në një moment të caktuar, sepse po aq varen edhe klientët që ne kemi në biznes që të na japi reklama.
Kush ka prioritet për të klikimi, lajmi, apo janë të dyja?
Nuk mund të tallesh me lajme serioze dhe do u japësh atyre seriozitetin e duhur, pavarësisht se ti e di që kjo nuk do të marrë klikime. Ajo është një vlerë e shtuar në prezantimin që ti i bën medias tënde./TAR

