Këngëtarja e dashur për publikun, Elvana Gjata, publikoi ditën e djeshme mini albumin e saj, “Çelu”, të cilit fansat kishin kohë që e prisnin. Janë shtatë këngë  kryesisht të zhanrit baladë; “A po vjen”, “Drandofilat”, “Jeta ime”, “Vendi im”, “Kur jemi dasht”, “Kunadhe” e “Mos u ngut”.

Elvana zgjodhi sërish dy emrat më të mirë të muzikës për të bashkëpunuar për albumin e saj. Ata janë pikërisht Pirro Çako dhe Darko Dimitrov. Me të dy ata ajo bashkëpunoi edhe për mini albumin “3”, të cilin e publikoi 3 vite më parë.

Për këtë arsye, Elvana i ka dedikuar Pirros dhe Darkos disa fjalë zemre në rrjete sociale. Ajo ka ndarë në “Instagram” disa foto të shkëputura gjatë punimit të këngëve me Pirro Çakon.

“Pirro i dashur! Je nder e krenari e këtij vendi! Burim muzike që nuk shteron! Një mik i shtrenjtë dhe frymëzim! Të falënderoj nga thellësia e zemrës time për çdo emocion, lot gëzimi dhe të qeshura pafund që kam përjetuar gjatë krijimit të kësaj buqetë me nota shpirti! Të dua shumë Pirro”, ka shkruar Elvana përkrah fotove me kantautorin.