Jean Smart bëri histori në ceremoninë e çmimeve Emmy 2026, duke fituar për të pestin vit radhazi çmimin për Aktoren Kryesore më të Mirë në një Serial Komedi, për interpretimin e saj si Deborah Vance në sezonin e pestë të “Hacks” të HBO Max.
Me këtë fitore, aktorja 75-vjeçare u bë e para që arrin të fitojë një çmim Emmy për çdo sezon të një seriali. Në të njëjtën kategori ishin nominuar edhe Lisa Kudrow, Quinta Brunson, Elle Fanning dhe Ayo Edebiri.
Smart u prit me një duartrokitje në këmbë nga publiku. Ajo u ngrit në skenë pasi Zendaya, e cila i dorëzoi çmimin, shpalli emrin e saj.
Duke marrë statujën në duar, aktorja bëri shaka me publikun: Vetëm burrat mund të qëndrojnë në këmbë. Vajzat mund të ulen.
Fituesja ia dedikoi çmimin e saj të ri krijuesve të “Hacks”, Lucia Aniello, Jen Statsky dhe Paul G. Downs, duke vlerësuar kontributin e tyre në suksesin e serialit.
“Gjithçka fillon dhe mbaron me ta. Ju dua shumë. Çfarë udhëtimi i mrekullueshëm ka qenë”, tha Smart gjatë fjalimit të saj.
Jean Smart është aktorja e dytë që fiton një Emmy për çdo sezon të një seriali. Para saj, këtë arritje e kishte realizuar vetëm Bill Cosby, i cili fitoi çmimin për secilin nga tre sezonet e “I Spy”, nga viti 1966 deri në vitin 1968.
Përveç pesë çmimeve Emmy për “Hacks”, Smart ka fituar edhe për paraqitjet e saj si aktore e ftuar në “Frasier” në vitet 2000 dhe 2001, si dhe çmimin për Aktoren më të Mirë Mbështetëse për “Samantha Who?” në vitin 2008.
Ajo është nominuar gjithashtu për interpretimet e saj në serialet “The District”, “24”, “Harry’s Law”, “Fargo”, “Watchmen” dhe “Mare of Easttown”.
Në tapetin blu të Teatrit Peacock, Smart u shfaq e shoqëruar nga djali i saj më i vogël. Aktorja kishte zgjedhur një fustan maksi të zi, me një dekolte të thellë në formë V-je dhe mëngë metalike ngjyrë argjendi me detaje të palosura.
Ajo e kompletoi pamjen me vathë vintage me diamant dhe perla, si dhe një unazë diamanti 8 karatësh.
