Brooklyn Beckham dhe bashkëshortja e tij, Nicola Peltz, vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes mediatike për shkak të tensioneve të thella me familjen Beckham, veçanërisht me prindërit e tij, David dhe Victoria.

Ajo që nisi si një ceremoni martesore luksoze, me jehonë të madhe publike, duket se ka shënuar edhe fillimin e një përçarjeje serioze familjare.

Sipas raportimeve, marrëdhënia e Brooklyn-it me prindërit është përkeqësuar ndjeshëm, deri në atë pikë sa ai ka deklaruar hapur se nuk e sheh më si prioritet ripaqësimin me ta.

Përmes rrjeteve sociale, ai ka ndarë një qëndrim të fortë, duke thënë se ka zgjedhur të heshtë për shumë vite, por tani dëshiron vetëm paqe, privatësi dhe një jetë të qetë përkrah bashkëshortes së tij.

Brooklyn ka lënë të kuptohet se përpjekjet për pajtim nga ana e familjes kanë qenë të pamjaftueshme, ndërsa ka ngritur edhe akuza për ndërhyrje dhe kontroll që, sipas tij, kanë ndikuar negativisht në bashkëjetesën e tij me Nicolën.

Shtypi britanik citon deklarime ku çifti shprehet:

“Jemi të lumtur që ia dolëm në këtë situatë aspak të bukur”.

Në të njëjtën linjë, edhe Nicola Peltz ka bërë një veprim simbolik, por domethënës, në rrjetet sociale, duke hequr nga profili i saj në “Instagram” fotografitë që lidhen me familjen Beckham, çka është interpretuar si një distancim i qëllimshëm dhe i menduar mirë.

Megjithatë, historia nuk është njëzëri e njëjtë në të gjitha mediat. Disa artikuj sugjerojnë se një pjesë e pretendimeve të Brooklyn-it, përfshirë episodet e përfolura rreth dasmës dhe momentit të “vallëzimit të parë”, mund të jenë thjesht interpretime të ndryshme të të njëjtave ngjarje, më shumë se sa fakte të padiskutueshme.

Pavarësisht versioneve të ndryshme, një gjë duket e qartë: që prej momentit kur Brooklyn dhe Nicola kanë bërë publik qëndrimin e tyre, ata duken më të qetë, më të lirë dhe të fokusuar te jeta e përbashkët.