Emma Heming Willis ka folur hapur për ndikimin emocional që ka pasur tek ajo dhe familja e saj beteja e bashkëshortit, Bruce Willis, me demencën frontotemporale (FTD).
Në një intervistë për revistën “Hello!”, Emma e përshkroi përvojën si jashtëzakonisht të vështirë dhe të dhimbshme, duke shpjeguar se natyra progresive e sëmundjes i ka bërë ata të përballen vazhdimisht me humbje të vogla, ndërsa gjendja e aktorit ndryshon gradualisht.
“Është jashtëzakonisht e vështirë dhe e dhimbshme. Është e natyrshme, të gjithë duam që njerëzit tanë të dashur të jenë të shëndetshëm, plot jetë dhe të jenë personi që kanë qenë gjithmonë. Por demenca frontotemporale është një sëmundje shkatërruese që të merr gjërat shumë ngadalë”, tha Emma.
Ajo shtoi se pikërisht kjo ecuri e sëmundjes bën që familja të përjetojë një ndjenjë zie që nuk largohet.
“Realiteti është se e gjen veten vazhdimisht në një gjendje zie”, u shpreh ajo.
Heming Willis theksoi gjithashtu se ekziston ende shumë keqinformim rreth llojeve të ndryshme të demencës.
Ajo tregoi se një nga pyetjet që i bëhet më shpesh është nëse Bruce ende e kujton atë. Përgjigjja e saj, sipas saj, është po.
Emma theksoi se Bruce nuk ka Alzheimer, por demencë frontotemporale, një sëmundje që prek zona të ndryshme të trurit dhe mund të shfaqet ndryshe nga Alzheimeri.
Ajo kërkoi që mediat të raportojnë më saktë për këto sëmundje, duke synuar edukimin e publikut dhe jo shtimin e frikës apo stigmës.
Pavarësisht vështirësive, Emma tha se familja është përpjekur të jetë e pranishme për Bruce dhe të gjejë mënyra të shëndetshme për ta përballuar situatën.
Bruce ka dy vajza me Emmën, Mabel dhe Evelyn, ndërsa nga martesa e mëparshme me Demi Moore ka tri vajza Rumer, Scout dhe Tallulah.
Emma tha se secila prej tyre ka krijuar një marrëdhënie të veçantë me të atin dhe se të gjitha kanë zgjedhur të jenë pranë tij gjatë kësaj periudhe.
Në një tjetër intervistë të publikuar së fundmi, Emma theksoi se, pavarësisht vështirësive, familja ende përjeton momente gëzimi dhe lidhjeje me Bruce. Ajo tha se është e rëndësishme të mos përkufizohet demenca vetëm përmes dhimbjes, pasi personi që jeton me sëmundjen dhe kujdestarët e tij kanë nevojë të shihen dhe të mbështeten.




