Ylli i muzikës pop, Jennifer Lopez nuk ka hezituar të bëjë humor me jetën e saj personale, duke prekur edhe ndarjen nga Ben Affleck gjatë një koncerti në rezidencën e saj në Las Vegas. Këngëtarja ftoi në skenë një fans nga publiku. Kur ai tha se quhej “Ben”, reagimi i saj ishte i menjëhershëm dhe plot batutë. “Shikojeni këtë djalë… do t’i marrim gjithçka,” u shpreh ajo me shaka, duke e shoqëruar me një mimikë të sikletshme dhe një “ugh!” që shkaktoi të qeshura në sallë.

Kjo nuk është hera e parë që Lopez përdor humorin për të komentuar jetën e saj sentimentale. Pak kohë më parë, ajo ironizoi edhe martesat e saj të mëparshme, duke thënë me humor se “pas divorcit të tretë fillova të bëhem më e zonja në këtë pjesë”.

Lopez dhe Affleck u lidhën fillimisht në fillim të viteve 2000, u ribashkuan në vitin 2021 dhe kurorëzuan dashurinë me martesë në 2022. Megjithatë, lidhja e tyre përfundoi me divorc në gusht të vitit 2024.