Një burrë turk, i cili ishte në kërkim që nga viti 2018, u zbulua së fundmi në Stamboll, duke jetuar si një grua transgjinore me një pamje krejtësisht ndryshe. Tugrul Bashar ishte dënuar për tre grabitje të kryera ndërsa imitonte një zyrtar publik në vitin 2010, por kishte arritur të arratisej në vitin 2018 për të shmangur një dënim me tre vjet burg.

Autoritetet e kishin kërkuar që atëherë, por pa sukses. Megjithatë, kthesa e madhe ndodhi kur ai u identifikua në lagjen Kandiköy të Stambollit, gjatë një operacioni special të hartuar për të sjellë para drejtësisë të arratisurit me dënime të pakryera me burg.

Ajo që e bëri rastin e Basharit të dallohej nga të tjerët që u vunë në pranga gjatë operacionit special ishte zbulimi tronditës se ai kishte jetuar si grua për vite me radhë, duke përvetësuar identitetin e motrës së tij dhe duke ndryshuar pamjen deri në atë pikë sa u bë i panjohur.

Është e paqartë se si policia e gjeti Tugrul Basharin pas kaq shumë vitesh, por besohet se ata përdorën sisteme mbikëqyrjeje për familjen dhe bashkëpunëtorët e tij të njohur. Kështu agjentët zbuluan se në shtëpinë e motrës së tij jetonin dy zonjusha të reja, të cilat me sa duket përdornin të njëjtin identitet kur dilnin.

Sipas raporteve të policisë, transformimi i Basharit ishte aq radikal sa ata nuk mund të mbështeteshin më në fotot e vjetra të tij për ta identifikuar. Agjentët filluan të ndiqnin gruan misterioze që hiqej si motra e tij dhe të mblidhnin prova derisa të siguroheshin se ishte i shumëkërkuari.

Kur policia mbërriti në shtëpinë e tij dhe e arrestoi, Bashar kishte me vete kartën e identitetit të motrës së tij, por një test i gjurmëve të gishtërinjve arriti ta zbulonte.

Përveç maskimit të tij të përsosur, Bashar i është nënshtruar një ndërhyrjeje kirurgjikale për ndryshimin e gjinisë për të arritur këtë efekt. Pavarësisht kësaj, Tugrul Bashar do ta vuajë dënimin e tij në një burg për burra.