Kompania “Mattel” ka prezantuar së fundmi Barbie-n e parë me autizëm. Përmes detajeve konkrete e mjeteve ndihmëse që përdoren në jetën e përditshme, u krijua për të reflektuar përvojat e fëmijëve në spektrin e autizmit. Kukulla ka kufje rozë për reduktimin e zhurmës, duke e ndihmuar në përballimin e mbingarkesës shqisore, si dhe një “fidget spinner”, funksional në njërën dorë. Në dorën tjetër, kukulla mban një tablet që simbolizon pajisjet e Komunikimit Alternativ dhe Përforcues (AAC), të përdorura nga persona me vështirësi në të folur ose në komunikim verbal.
Shikimi i Barbie-t është lehtësisht i drejtuar anash, çka reflekton faktin se disa persona me autizëm shmangin kontaktin e drejtpërdrejtë me sy. Edhe veshja është menduar me funksionalitet në fokus; një fustan vjollcë me vija, i gjerë dhe me prerje të lirshme, për të minimizuar kontaktin e pëlhurës me lëkurën, preferencë e zakonshme te personat me ndjeshmëri të shtuar shqisore.
Barbie i bashkohet linjës “Fashionistas” të “Mattel”-it, që përfshin kukulla me tone të ndryshme lëkure, ngjyra flokësh, fizionomi trupore dhe gjendje shëndetësore, si diabeti i tipit 1, sindroma Down e verbëria. “Mattel” bashkëpunoi ngushtë me organizatën jofitimprurëse Autistic Self Advocacy Network, për të siguruar një paraqitje të saktë dhe të bazuar në prova shkencore.
Kukulla synon të përfaqësojë 1 në 31 fëmijë në Shtetet e Bashkuara që diagnostikohen me autizëm deri në moshën 8-vjeçare. Edhe pse nuk ka kurë, mbështetja e hershme dhe ndërhyrjet e duhura mund të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e jetës.



