Shefi ekzekutiv i Teslës, Elon Musk, u bë së fundmi personi i parë në histori që arrin një pasuri neto prej pothuajse 500 miliardë dollarësh, e nxitur nga rimëkëmbja e aksioneve të kompanisë së automjeteve elektrike dhe rritja e vlerës së bizneseve të tjera të tij teknologjike gjatë këtij viti. Sipas indeksit të miliarderëve të Forbes, pasuria e Musk arriti në 500.1 miliardë dollarë në orën 16:15 me orën lokale të Nju-Jorkut. Pasuria e tij lidhet ngushtë me Teslën, ku ai zotëronte mbi 12,4% të aksioneve që nga data 15 shtator. Aksionet e kompanisë janë rritur mbi 14% gjatë këtij viti dhe u mbyllën me një rritje prej 3,3%, duke i shtuar më shumë se 6 miliardë dollarë pasurisë së Musk vetëm në një ditë.

Pas një fillimi të vështirë të vitit, aksionet e Teslës kanë marrë vrull pasi investitorët panë se Musk po i rikthehej fokusit te kompanitë e tij. Vetëm pak ditë më vonë, Musk zbuloi se kishte blerë rreth 1 miliard dollarë aksione të Teslës, një shenjë e fortë besimi në të ardhmen e kompanisë, e cila po synon një transformim të madh nga prodhues automjetesh në një fuqi të inteligjencës artificiale dhe robotikës.

Megjithatë, shitjet e dobëta të makinave dhe presioni mbi marzhat e fitimit vazhdojnë të ndikojnë negativisht aksionet, duke e bërë Teslën një nga performuesit më të dobët. Pavarësisht kësaj, muajin e kaluar, bordi i Teslës propozoi një paketë kompensimi prej 1 trilion dollarësh për Musk, duke vendosur objektiva ambiciozë financiarë e operacionalë dhe duke adresuar kërkesat e tij për një pjesë më të madhe në kompani.

Ndërkohë, edhe dy kompanitë e tjera të Musk, startup-i i inteligjencës artificiale xAI dhe kompania hapësinore SpaceX, kanë parë rritje të ndjeshme vlerësimesh këtë vit. xAI u vlerësua me 75 miliardë dollarë në korrik, ndërsa sipas raporteve, SpaceX po diskuton ngritjen e kapitalit me një vlerësim rreth 400 miliardë dollarë. Në listën e Forbes, Musk ndiqet nga themeluesi i Oracle, Larry Ellison, i cili renditet i dyti më i pasur në botë me një pasuri rreth 350,7 miliardë dollarë.