Jurgen Uldedaj, kampioni shqiptar i botës në kategorinë Cruiserweight të organizatës IBO, ka njoftuar shtyrjen e ndeshjes për mbrojtjen e titullit botëror, e cila ishte planifikuar të zhvillohej më 23 tetor në Tiranë kundër australianit Blake Caparello. Përmes një deklarate publike, Uldedaj ka bërë të ditur se vendimi është marrë për shkak të një dëmtimi të lehtë gjatë përgatitjeve, por edhe të situatës që po përjeton Shqipëria, ku prej ditësh vijojnë protestat kundër qeverisë.
“Për mua, Shqipëria është mbi çdo titull dhe fitore personale. Nuk do ta ndieja të drejtë të festoja në ring, ndërsa bashkëkombësit e mi protestojnë për të drejtat e tyre dhe vendi kalon momente të vështira”, është shprehur boksieri. Uldedaj ka theksuar se respekton të drejtën e qytetarëve për të ngritur zërin, ndërsa ka vlerësuar edhe punën e Policisë së Shtetit për ruajtjen e rendit dhe sigurisë.
“Ëndrra ime për ta mbrojtur titullin në atdhe vazhdon. Do të kthehem në ring për të ngritur lart flamurin kuqezi, në një moment kur të gjithë të mund ta përjetojmë këtë ngjarje me krenari”, ka deklaruar ai. Vendimi është koordinuar me organizatën IBO dhe është marrë me mirëkuptimin e të dy boksierëve. Përballja pritet të zhvillohet brenda vitit 2026, ndërsa data e re nuk është përcaktuar ende.


