Justin Bieber është fotografuar duke përdorur një cigare elektronike brenda një restoranti luksoz në West Hollywood, një veprim që bie ndesh me ligjet e Kalifornisë për ndalimin e duhanit dhe pajisjeve elektronike në ambiente të mbyllura publike. Këngëtari 31-vjeçar ndodhej në restorantin Coucou me bashkëshorten e tij, Hailey Bieber, teksa darkonin privatisht me një grup miqsh. Në pamjet e publikuara, Hailey shihet duke ia mbajtur cigaren elektronike Justin-it, ndërsa çifti duket i relaksuar dhe në humor të mirë.

Edhe pse duket një moment i rastësishëm, veprimi i tij rrezikon ndëshkim ligjor për shkelje të rregullave shtetërore të vendosura që nga viti 2016. Kjo dalje publike vjen pas një periudhe të diskutuar për martesën e çiftit, ku spekulimet për krizë u shtuan nga tekstet e këngëve në albumin e ri të Justin, “SWAG”, publikuar më 11 korrik. Megjithatë, sipas burimeve të afërta, çifti po kalon një periudhë më të mirë dhe kanë rilidhur marrëdhënien e tyre gjatë një udhëtimi familjar në Idaho me djalin e tyre, Jack, i cili festoi ditëlindjen e tij të parë më 22 gusht.