“Flet” është një podkast pa filtra, i drejtpërdrejtë dhe i vërtetë. Me rrëfime të sinqerta nga të ftuarit, pa doreza dhe me deklarata të fuqishme dhe të pathëna më parë. I ftuar në këtë episod të katërt të “Flet” me Ilnisa Agolli, ka qenë Ermal Mamaqi, për një bisedë mes artit, biznesit dhe televizionit…

Pjesë nga intervista:

Cilat kanë qenë vështirësitë e tua në rini?

Një nga vështirësitë e mia të para, që lidhet me shkollën fillore, është që unë kam qenë një nga ata djemtë ‘loosers’ të klasës. Ndoshta dikujt tani duke parë tipin tim çapkën, mund të thotë që ky ka qenë kështu e ka qenë ashtu, por në fillimet e shkollës 8-vjeçare, unë kam qenë një nga ata djemtë që nuk kishim shumë financa. Vinim nga një familje intelektualësh, por me rroga shteti komunist. Kështu që e kam pasur ëndërr gjithmonë që të rrija me këto VIP-at e klasës.

Ka figura publike që nuk e meritojnë fatin financiar që u ka rënë, që nuk kanë mundësi të mira. Çfarë u thua ti atyre?

Atëherë problemi më i madh ka qenë sistemi, nuk ka patur asnjë lloj strukture, asnjë lloj mundësie se ku ta shisje artin tënd ose gjënë tënde, por tani unë besoj se janë të gjitha mundësitë se si mësosh që të shesësh. Problemi më i madh që kanë disa artistë sot që vuajnë këtë lloj gjendje, është se besojnë që nuk duhet të shiten. Ka një hapësirë shumë të madhe që mund ta mbushim këtë fjalën, se çfarë do të thotë të shitesh, a është gjë e mirë apo e keqe. Por unë besoj se nëse ti nuk shitesh, do të thotë se ti nuk vlen.

Kush janë kolegët e tu sot, janë aktorët, muzikantët apo biznesmenët?

Padyshim që biznesmenët. Ka lloj-lloj biznesmenësh, por unë përzgjedh ata të cilët janë të fokusuar te vlerat njerëzore, te rritja, te pozitiviteti, te energjia e mirë.