Singapori po zgjeron ndjeshëm mbështetjen financiare për familjet me fëmijë. Kryeministri Lawrence Wong njoftoi paketën e re, përmes së cilës çdo fëmijë shtetas i Singaporit do të mund të përfitojë rreth 70 mijë dollarë në mbështetje direkte nga shteti, nga lindja deri në moshën 17 vjeç.

Paketa e re arrin në 62 mijë dollarë, ndërsa së bashku me përfitimet ekzistuese, si kontributi prej 5 mijë dollarësh në MediSave për të porsalindurit dhe pagesat vjetore të Edusave, mbështetja totale shkon në rreth 70 mijë dollarë për fëmijë. Skema synon të jetë më e thjeshtë dhe të mos ndryshojë më sipas rendit të lindjes së fëmijës.

Pjesa kryesore është një “Baby Gift” prej 10 mijë dollarësh, që do të jepet në dy këste gjatë vitit të parë të jetës. Më pas, familjet do të marrin 2 mijë dollarë në vit, nga viti kur fëmija mbush një vjeç deri në vitin kur mbush 16 vjeç. Kjo do të thotë 32 mijë dollarë në total përmes të ashtuquajturave Child Credits.

Paketa përfshin gjithashtu 5 mijë dollarë grant fillestar në “Child Development Account” dhe deri në 5 mijë dollarë të tjera nga bashkëfinancimi i qeverisë. Kur fëmija mbush 17 vjeç, shteti do të shtojë edhe 10 mijë dollarë në llogarinë për arsimin pas shkollës së mesme.

Në praktikë, reforma nënkupton që familjet do të marrin ndihmë jo vetëm në momentin e lindjes, por në mënyrë të shpërndarë gjatë viteve të rritjes dhe edukimit të fëmijës. Qeveria synon kështu të ulë barrën financiare të prindërve dhe të mbështesë më gjatë familjet, veçanërisht në shpenzimet për kujdesin, edukimin dhe arsimin e fëmijëve. Masa do të zbatohet edhe për fëmijët që janë aktualisht në sistemin e përfitimeve, përmes rregullimeve kalimtare. Familjet me tre ose më shumë fëmijë do të vazhdojnë të marrin edhe mbështetje shtesë në fusha si shëndetësia, transporti dhe strehimi.