Gazetarja Alba Alishani ishte një ditë më parë e ftuar në emisionin “Live From” Tirana me Ronaldo Sharkën. Ajo ka bërë një rrëfim të sinqertë si nga ana profesionale ashtu edhe në atë personale.
Pjesë nga intervista:
A ka eros në pyetjet që ti bën, në mënyrën si ti i artikulon pyetjet dhe si komunikon me kamerën?
Them se jo. Dhe kjo është barrikada që unë kam ndërtuar me ndërgjegje dhe nuk kam dashur kurrë që etiketat e mia të jenë ato. Nëse ajo ka shkuar natyralisht dhe instiktivisht, unë nuk di ta them. Në qëllimet e mia nuk ka qenë. Kam përshtypjen që ka një lloj autokontrolli njeriu për ta përçuar ose jo për aq sa mundet, se ka gjëra që janë të pakontrollueshme dhe instiktive në marrëdhënien ndërnjerëzore. Sa më takon mua dhe autkontrollit, jam munduar që të shkoj përtej kësaj dhe të reduktoj gjithçka që mund të jetë e interpretueshme.
Mund të thuash emrin e një gruaje si paneliste apo analiste që e bën mirë analizën e politikës?
Shqipëria ka pak, por unë kujtoj një zonjë shumë të nderuar profesionalisht dhe njerëzisht, e cila nuk është më në mesin tonë, ka qenë Edlira Gjoni, e cila është larguar jashtë Shqipërisë në momentet që ne flasim. Dhe ajo është një kontribuese dhe një aset i munguar në studiot tona. Unë kam pasur një kënaqësi të jashtëzakonshme kur kisha interaktivitet intelektual me Edlirën, sepse ka njerëz që intelektualisht të japin sadisfaksion. Dhe Edlira futej në atë listë për mua dhe ishte nga të rrallat. Ndiheshe mirë kur kishe bashkëbisedim, kur kishe dialog, kur bëje një analizë, kemi komentuar ngjarje maratonomike në kohë shumë të vështira tërmeti dhe pandemie bashkë. Dhe të jepte kënaqësi edhe si bashkëbiseduese në studio, se ti e di që ka njerëz që nuk ta përçojnë këtë energji kur i ke përballë, me atë ndodhte. Dhe mendoj që e përçonte shumë mirë edhe te publiku.




