Ish-asistentja e Kanye West, Lauren Pisciotta, ka zgjedhur që të fshihet për të shpëtuar jetën e saj. 36-vjeçarja pretendon se ka frikë se mos e vrasin pas ngritjes së padisë për sulm seksual ndaj reperit të famshëm.

Pisciotta nisi të punonte për West në vitin 2021, ndërsa më 3 qershor 2024 dorëzoi padinë e parë, duke e akuzuar atë për ngacmim seksual dhe përndjekje.

Në një version të përditësuar të padisë, dorëzuar më 10 korrik 2025, ajo e akuzon reperin, i njohur edhe me emrin Ye, për trafikim seksual, përndjekje, dhunë dhe përdhunim.

Procesi civil pritet të rikthehet në gjykatë muajin e ardhshëm, por sipas avokatit të saj, Arick Fudali, klientja e tij është “e frikësuar” dhe e tërhequr nga jeta publike.

Në një intervistë për BBC-në, avokati Fudali deklaroi se Pisciotta “thjesht është izoluar, duke lënë që procesi gjyqësor të ndjekë rrjedhën e vet”.

“Është shumë e trishtë, ajo ka kaluar shumë. Ka vuajtur dhe vazhdon të vuajë që nga momenti kur nisi të punonte për z. West”, tha avokati i 36-vjeçares.

Sipas padisë së përditësuar, Pisciotta pohon se ka qenë viktimë e një sulmi të qëllimshëm “swatting” (raportimi i rremë i një krimi të rëndë për të nxitur ndërhyrjen e policisë me forcë).

Gjashtë ditë pas dorëzimit të padisë fillestare, ajo pretendon se u përball me një bastisje të armatosur nga policia në Florida, pas një denoncimi të rremë se ajo kishte vrarë nënën e saj.

Ajo gjithashtu thotë se ka marrë telefonata anonime ku e kërcënonin që të hiqte dorë nga padia, duke i thënë se nuk do të “fitojë kurrë kundër Kanye West”.

Në padi thuhet se gjatë punës për albumin DONDA, West e ka ndjekur Pisciottën në dhomën e saj të hotelit, duke pretenduar se donte të përdorte dushin.

Ajo pretendon se më pas ai doli nga banja, hoqi peshqirin dhe e përdhunoi. Sipas saj, West gjithashtu kryente marrëdhënie seksuale me punonjës të kompanisë së tij, Yeezy, në ambientet e zyrës, i regjistronte aktet dhe ia dërgonte asaj.

Ai i dërgonte shpesh mesazhe me përmbajtje seksuale, duke përfshirë fantazi të shprehura për të. Në dokumentet e gjykatës, Pisciotta pretendon se punonjësit ishin të ekspozuar vazhdimisht ndaj deklaratave raciste dhe antisemitike të West.

Megjithatë, ekipi ligjor i këngëtarit ka mohuar kategorikisht këto akuza.