I ftuar sot në emisionin “Live From Tirana” ka qenë gazetari nga Kosova, Labinot Nimani. Nëpërmjet një lidhjeje Skype ai ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me arrestimin e Gjestit dhe se çfarë ka ndodhur në zyrat e studios Onima.

Kur u pyet se kur mbaronte kontrata e Gjestit me Onima dhe sa vjeçare ishte, Labinoti u përgjigj si më poshtë:

“Në fakt nuk e di ekzaktësisht sepse nuk e kam parë dokumentacionin, por zakonisht këto kontrata zgjasin nga pesë deri në dhjetë vjet. Kështu që besoj se është akoma brenda asaj kontrate të cilën e ka firmosur me plot vetëdije dhe me dëshirën e tij. E cila zgjat në fakt deri në vitin 2028.

Mendoj që dhuna dhe kërcënimi nuk janë format e duhur për të marrë atë që do. Unë me sa kam arritur të kuptoj Gjesti ka krijuar një situatë të pazakontë dhe shumë të tmerrshme dhe për punonjësit e Onima-s kur ka shkuar atë ditë sepse ka shkuar me revole në duar duke e kërkuar numrin 1 të kësaj kompanie, personin me inicialet E. SH., dhe duke shkaktuar kështu një kaos total në zyrat e kompanisë. Ka përdorur një gjuhë të vrazhdë dhe policia kur ka ardhur e ka gjetur me revole në duar”.

Po pronari i Onima-s a ka qenë aty dhe a është përplasur me fjalë me Gjestin? Kësaj pyetje të drejtuar nga Ronaldo Sharka, gazetari iu përgjigj duke thënë:

“Me shumë gjasë jo, sepse nëse nuk gaboj ai nuk ka qenë aty në ato momente që Gjesti ka shkuar”.